Kriteret e konkurrimit për dhënien me qira të pasurisë shtetërore janë si më poshtë vijon:

– niveli i investimit;

– niveli i punësimit;

– oferta e detyrimit mujor të qirasë.

Institucionet qendrore dhe vendore mund të vendosin edhe kritere të tjera shtesë.

Kriteret e konkurrimit për dhënien me enfiteozë të pasurisë shtetërore janë si më poshtë vijon:

– niveli i investimit në pasuri të paluajtshme për përmirësimin e pronës, i cili të jetë mbi 200 përqind të vlerës së pasurisë së shpallur për konkurrim;

– qëllimi dhe niveli i investimit në tërësi në pasurinë që jepet me enfiteozë;

– niveli i punësimit;

– oferta e detyrimit mujor.

Institucionet qendrore dhe vendore mund të vendosin edhe kritere të tjera shtesë.

Përjashtohen nga konkurrimi:

a)dhënia me qira e sipërfaqeve deri në 200 m2, të cilat jepen me afat deri në 1 vit;

b)makineritë e pajisjet e shkëputura, të cilat jepen me afat deri në 1 vit;

c)dhënia me qira e pasurive shtetërore, subjekteve të pajisura me leje shfrytëzimi të pasurive natyrore minerare, peshkimit, ujërave e të veprimtarive të tjera, të ngjashme, kur këto pasuri i jepen subjektit, në ndihmë të zhvillimit të aktivitetit, për të cilin është licencuar;

ç) rastet kur me ligj janë miratuar marrëveshje minerare të shfrytëzimit, subjekti i licencuar ka të drejtën e lidhjes së kontratës së huapërdorjes për sipërfaqen e ndërtimit të fabrikave (sipërfaqe kjo e konfirmuar nga plani i biznesit, i paraqitur për marrjen e lejes së shfrytëzimit), me të drejtë përsëritjeje deri në përfundim të periudhës së licencimit;

d)dhënia me qira e objekteve shtetërore për institucionet shtetërore, kur ato do të përdoren për nevoja dhe aktivitete të mëtejshme shtetërore;

dh) dhënia me qira e pasurive shtetërore, subjekteve shtetërore ose private për ushtrimin e aktiviteteve në fushën e sportit, kulturës, turizmit dhe trashëgimisë kulturore, kundrejt investimeve në pasurinë shtetërore të vlerave mbi 2 (dy) milionë euro;

e) shtesat në kontratë për sipërfaqet funksionale që kërkohen nga qiramarrësi për të shtuar ose për të përmirësuar veprimtarinë, për sipërfaqe jo më shumë se 50% e sipërfaqes totale të truallit ku shtrihet objekti i marrë me qira dhe vetëm në rastet kur sipërfaqja shtesë shtrihet në kufi me sipërfaqen e kontratës.