Kriteret e konkurrimit për dhënien me qira të pasurisë shtetërore janë si më poshtë vijon:
– niveli i investimit;
– niveli i punësimit;
– oferta e detyrimit mujor të qirasë.
Institucionet qendrore dhe vendore mund të vendosin edhe kritere të tjera shtesë.
Kriteret e konkurrimit për dhënien me enfiteozë të pasurisë shtetërore janë si më poshtë vijon:
– niveli i investimit në pasuri të paluajtshme për përmirësimin e pronës, i cili të jetë mbi 200 përqind të vlerës së pasurisë së shpallur për konkurrim;
– qëllimi dhe niveli i investimit në tërësi në pasurinë që jepet me enfiteozë;
– niveli i punësimit;
– oferta e detyrimit mujor.
Institucionet qendrore dhe vendore mund të vendosin edhe kritere të tjera shtesë.
Përjashtohen nga konkurrimi:
a)dhënia me qira e sipërfaqeve deri në 200 m2, të cilat jepen me afat deri në 1 vit;
b)makineritë e pajisjet e shkëputura, të cilat jepen me afat deri në 1 vit;
c)dhënia me qira e pasurive shtetërore, subjekteve të pajisura me leje shfrytëzimi të pasurive natyrore minerare, peshkimit, ujërave e të veprimtarive të tjera, të ngjashme, kur këto pasuri i jepen subjektit, në ndihmë të zhvillimit të aktivitetit, për të cilin është licencuar;
ç) rastet kur me ligj janë miratuar marrëveshje minerare të shfrytëzimit, subjekti i licencuar ka të drejtën e lidhjes së kontratës së huapërdorjes për sipërfaqen e ndërtimit të fabrikave (sipërfaqe kjo e konfirmuar nga plani i biznesit, i paraqitur për marrjen e lejes së shfrytëzimit), me të drejtë përsëritjeje deri në përfundim të periudhës së licencimit;
d)dhënia me qira e objekteve shtetërore për institucionet shtetërore, kur ato do të përdoren për nevoja dhe aktivitete të mëtejshme shtetërore;
dh) dhënia me qira e pasurive shtetërore, subjekteve shtetërore ose private për ushtrimin e aktiviteteve në fushën e sportit, kulturës, turizmit dhe trashëgimisë kulturore, kundrejt investimeve në pasurinë shtetërore të vlerave mbi 2 (dy) milionë euro;
e) shtesat në kontratë për sipërfaqet funksionale që kërkohen nga qiramarrësi për të shtuar ose për të përmirësuar veprimtarinë, për sipërfaqe jo më shumë se 50% e sipërfaqes totale të truallit ku shtrihet objekti i marrë me qira dhe vetëm në rastet kur sipërfaqja shtesë shtrihet në kufi me sipërfaqen e kontratës.