Procedurat e bërjes së kërkesave, ankesave dhe sinjalizime

Bashkia Dibër ka ngritur njësinë përgjegjëse të sinjalizimit me Urdhër  Nr.13 datë 01.02.2019 të Kryetarit të Bashkisë bazuar në ligjin Nr.60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.
Sinjalizues është individi, i cili aplikon ose është në marrëdhënie pune, ose ka punuar më parë pranë autoritetit publik Bashkia Dibër  dhe  institucionet në  vartësi të saj, pavarësisht nga natyra e marrëdhënies së punës ose kohëzgjatjes së saj, si dhe nëse paguhet ose jo, që sinjalizon një veprim ose praktikë të dyshuar korrupsioni.

Çdo person, i cili vihet në dijeni për veprime ose praktika të dyshuara të korrupsionit gjatë punës ose në lidhje me veprimtarinë e tij të punës pranë institucionit.

Sinjalizimi bëhet me çdo mjet komunikimi, në formë të shkruar ose deklarohet verbalisht para njësisë përgjegjëse dhe dokumentohet me shkrim prej tyre. Sinjalizimi përmban të paktën:
–  të dhënat e identitetit të sinjalizuesit;

–  të dhënat e kontaktit të sinjalizuesit;

– përshkrimin e fakteve e të rrethanave të njohura nga sinjalizuesi për veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit, shoqëruar me provat përkatëse, për aq sa është e mundur;
–  referimin përkatës në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, për aq sa është e mundur, nga sinjalizuesi, të veprës ose praktikës së dyshuar të korrupsionit;

Në rastet kur sinjalizimi nuk është depozituar sipas formës dhe përmbajtjes së mësipërme sinjalizuesit i kërkohet me shkrim të korrigjojë këto të meta brenda 7 ditëve nga data e marrjes së njoftimit për korrigjim.

Sinjalizuesi mund të zgjedhë të mbetet anonim dhe sinjalizimi pranohet, nëse në të janë shprehur qartë dhe janë arsyetuar shkaqet e anonimatit dhe të dhënat e sinjalizuara sigurojnë një bazë të mjaftueshme për të hetuar administrativisht veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit.
Njësia përgjegjëse brenda  10 ditëve nga paraqitja e kërkesës, vendos me akt të ndërmjetëm të arsyetuar për riparimin e pasojave të paligjshme nga akti i hakmarrjes.

Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së një kërkese për mbrojtje nga hakmarrja, njofton me shkrim sinjalizuesin për regjistrimin e pretendimit dhe emrin e personit pranë Njësisë Përgjegjëse të Sinjalizimit, i cili do të ndjekë çështjen.

Njësia Përgjegjëse të Sinjalizimit  ka të drejtë të kërkojë informacione dhe dokumente, të urdhërojë inspektime ose analiza, të mbledhë deklarata ose të pyesë persona në dijeni ose rrethanat e çështjes ose të konsultohet me ekspertë të fushave të ndryshme.

Në hetimin administrativ merr pjesë sinjalizuesi dhe çdo person tjetër i tretë, kur dyshohet se posedon dokumente ose ka dijeni për rrethanat e sinjalizuara, përfshirë dhe të sinjalizuarin, nëse vlerësohet e nevojshme nga  Njësia Përgjegjëse të Sinjalizimit.

Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit njofton sinjalizuesin për çdo masë të marrë në përgjigje të sinjalizimit jo më vonë se 30 ditë nga momenti i kryerjes së veprimit.

Nëse në përfundim të hetimit administrativ nga Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit rezulton se veprimi ose praktika e dyshuar e sinjalizuar përbën ose mund të përbëjë një shkelje administrative, sipas ligjit, Njësisa Përgjegjëse e Sinjalizimit sipas rastit, vë në dijeni organin kompetent.

Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit përfundon hetimin administrativ nëse:
a) gjatë hetimit rezulton se sinjalizimi për veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit është i bazuar. Në këtë rast, Njësia Përgjegjëse të Sinjalizimi njofton menjëherë prokurorinë ose  Policinë e Shtetit.

b) sinjalizuesi nuk ka vepruar në kushtet e mirëbesimit, në zbatim të nenit 6 të ligjit nr.60/2016.

Procedura e hetimit administrativ të sinjalizimit përfundon sa më shpejt të jetë e mundur, por, në çdo rast, jo më vonë se 60 ditë nga data e fillimit të hetimit, përveçse kur nga rrethanat kërkohet një afat më i gjatë.